Të gjithë pyetjet
prev
Pararendëse:1.13 Në cilën gjuhë është shkruar Bibla?
next
Tjetra:1.15 Cila është struktura e Besëlidhjes së Vjetër?

1.14 Cili është dallimi mes Biblës dhe Kur’anit?

Bibla: e vërtetë apo e rreme?

Myslimanët besojnë se Kur’ani i ishte diktuar Muhamedit fjalë për fjalë nga Zoti në gjuhën arabe. Tekstet kuranore janë të shenjta për myslimanët. Kjo vlen edhe për Biblën: si të krishterë, ne besojmë se autorët e Biblës u frymëzuan nga Shpirti Shenjt (pa e diktuar Zoti tekstin). I njëjti Shpirt Shenjt i ndihmon lexuesit ta interpretojnë saktë Biblën. Fjalët në Bibël gjallërohen kur lexohen.

Lidhur me përmbajtjen, Kur’ani mohon që Jezusi është Biri i Zotit dhe se Ai vdiq dhe u ringjall nga të vdekurit. Kjo do të thotë se e vërteta që Zoti u mishërua në Jezusin për dashurinë e tij ndaj nesh nuk pranohet.

Besëlidhja e Re thotë se Jezusi është Biri i Zotit, i cili mohohet në Kur’an. Zoti i frymëzoi shkrimtarët e Biblës, por Ai nuk ua diktoi atyre tekstin.
Urtësia e Kishës

Çfarë funksioni ka Shkrimi i Shenjtë në jetën e Kishës?

Shkrimi i Shenjtë mbështet dhe fuqizon jetën e Kishës. Për bijtë e saj ai është patundshmëri e fesë, ushqim dhe burim i jetës shpirtërore. Është shpirti frymëzues i teologjisë dhe i predikimit baritor. Thotë Psalmisti: ai është “dritëz për këmbët e mia, dritë për udhët e mia” (Ps 119, 105). Prandaj Kisha nxit një lexim të shpeshtë të Shkrimit të Shenjtë, sepse “mosnjohja e Shkrimeve është mosnjohje e Krishtit” (Shën Jeronimi).  [KKKP 24]

Ja çfarë thonë Papët

Besimi në Hyjin, i shpallur nga pasardhësit shpirtërorë të Abrahamit - të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë - kur jetohet me sinqeritet, kur depërton në jetë, është një themel i caktuar i dinjitetit, vëllazërisë, lirisë së njerëzve dhe një parim i ndershmërisë për sjelljen morale dhe jetën në shoqëri. Dhe ka edhe më shumë: si rezultat i këtij besimi në Hyjin Krijues dhe transhendent, njeriu  e gjen veten në majën e krijimit. Ai u krijua, mëson Bibla, “sipas shëmbëlltyrës dhe në përngjasim me Zotin” (Zan 1:27); për Kuranin, librin e shenjtë të muslimanëve, megjithëse njeriu është krijuar nga pluhuri, “Zoti i dha frymën dhe e pajisi me dëgjim, shikim dhe zemër”, domethënë inteligjencë (Sure 32.8). [Papa Gjon Pali II, Ankara 29 nëntor 1979]