Atë Michel Remery

I nderuari Dr Michel Remery M.Sc. (1973), është prift i Dioqezës së Roterdamit, Holandë. Ka studiuar arkitekturë në Universitetin e Teknologjisë Delft, si dhe ka punuar për Forcat Ajrore Mbretërore të Holandës dhe më vonë si inxhinier i ardhur në vendet baltike për firmën konsulente dhe inxhinierike Tebodin. Atë Michel ka studiuar edhe filozofi dhe teologji në Universitetin Papnor Gregorian në Romë dhe është shuguruar prift në 2004. Për disa vjet, ka qenë anëtar i një komiteti këshillues për mediat e reja dhe të rinjtë në zyrën e Vatikanit për çështjet e internetit. Në vitin 2008, ka mbrojtur një tezë doktorature mbi pikëprerjet mes liturgjisë dhe arkitekturës. Ka botuar libra dhe artikuj të ndryshëm rreth kësaj teme dhe është anëtar kërkimor i Shkollës për Teologjinë Katolike të Universitetit të Tilburgut.
 

Rinia, puna e famullisë dhe Evropa

Nga 2006 deri në 2012, Atë Michel ka shërbyer si ndihmës prift në disa famulli në Leiden, Holandë, ku punoi kryesisht me të rinj dhe studentë të universitetit. Këtu lindi Në Twitter me ZOTIN, që më vonë u quajt Lundrimi me ZOTIN. Së bashku me të rinjtë ndërmori pelegrinazhe p.sh. në Romë, Tokën e Shenjtë, Krakovë, Stamboll, Surinam dhe në shumë Ditë Botërore të Rinisë. Më pas, Atë Michel shërbeu si Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Konferencave të Ipeshkëve Evropianë (CCEE) në Shën Gallen, Zvicër. Ndër të tjera, qe dhe sekretar i Komisionit për Komunikimet Sociale dhe Komisionit për Katekezat, Shkollat dhe Universitetet. Ai gjithashtu shërbeu si pika kombëtare e kontaktit për krimet e urrejtjes kundër të krishterëve për Vatikanin në OSBE, Organizata Ndërqeveritare për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Projektet ndërkombëtare

Në 2018 Atë Michel vazhdoi misionin e tij priftëror në Luksemburg, ku shërbeu edhe si kapelan kombëtar i të rinjve, dhe iu angazhua shërbesës së të rinjve në nivel ndërkombëtar. Që nga 2023 ai ndërthur misionin e tij si drejtues i DeoQuest me punën për dioqezën e Roterdamit në Hollandë. Si Drejtor i DeoQuest, detyrat e tij përfshijnë mbështetjen ndaj udhëheqësve të grupeve dhe të përfaqësuesve të Kishës në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, nxitjen e shkëmbimit të përvojave dhe ideve të reja, si edhe hyrjen në dialog me njerëz nga e gjithë bota, si në internet ashtu edhe jashtë tij. Së bashku me një ekip entuziast, ai vazhdon të zhvillojë dhe të zgjerojë nisma ndërkombëtare që lidhen me DeoQuest.

Atë Michel flet holandisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, luksemburgisht, spanjisht dhe ka njohuri bazë të polonishtes dhe portugalishtes.